Kodi i ri penal, këto janë ndryshimet në nenet për luftimin e terrorizmit

Kodi i ri penal i Kosovës parasheh dënimin nga 3 deri në 10 vjet burgim për kosovarët që udhëtojnë për në apo jashtë Kosovës, për qëllime terrorizimi. E më i ashpër është ndaj atyre që trajnojnë për përdorimin e substancave bakteriologjike, nukleare apo substancave të tjera të dëmshme apo helmuese për njerëzit, pronën apo mjedisin.
Këtij kodi, i cili javën që shkoi u prezantua nga Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, i është shtuar një nen i ri që përcakton dënimin e kujtdo që udhëton për në apo prej territorit të Kosovës më qellim për të kryer apo kontribuar në terrorizëm.

Paragrafi i parë i nenit 137 të këtij kodi që klasifikon si vepër penale “Udhëtimi për qëllime të terrorizmit”, parasheh dënimin prej 3 deri në 10 vite burgim të atyre që kryejnë këtë vepër, shkruan Gazeta Express.

“1. Kushdo që udhëton për në apo prej territorit të Republikës së Kosovës me qëllim për të kryer, kontribuar apo marrë pjesë në kryerjen e një vepre terroriste apo me qëllim për të marrë pjesë në aktivitetet e një terroristi apo grupi terrorist apo me qëllim të ofrimit apo pranimit të trajnimit për terrorizëm dënohet me burgim prej tre (3) deri në dhjetë (10) vite”, thotë ky nen.

Lexo edhe:  Gazetari shqiptar: Ivanoviq ishte pjesë e mafisë së Mitrovicës

E për ata që ndihmojnë apo lehtësojnë shkeljen e kësaj vepre penale, neni 137 i Kodit të ri penal të Kosovës parasheh dënimin prej 1 viti burgim deri në 8 vite maksimumi.

“Kushdo që në çfarëdo mënyrë ndihmon siç parashihet kryerja e veprës penale në këtë nen dhe siç përcaktohet në nenin 33 të këtij Kodi, organizon apo lehtëson udhëtimin e ndonjë personi me dijeni se udhëtimi është për qëllimet e parapara në paragrafin 1 të këtij neni dënohet me burgim prej një (1) deri në tetë (8) vite”, thotë paragrafi i dytë i nenit 137 të Kodit të ri penal.

Ky kod penal, javën që shkoi është miratuar në Qeveri të Kosovës dhe është proceduar për në Kuvend. Sipas ministrit Abelard Tahiri, kodi i ri penal që përmban gjithsej 19 ndryshime të sanksioneve penale, në veçanti ka rënduar masat ndaj të zyrtarëve të korruptuar, por edhe në luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Ky kod i ri, të cilin e ka siguruar Gazeta Express, në nenin 131 që sanksionin “Lehtësimin dhe financimin në kryerjen e terrorizmit”, parasheh edhe dënimin deri në 500 mijë Euro gjobë ndaj atyre që në çfarëdo mënyre mbledhin fonde ose organizojnë mjete materiale për të kontribuar në terrorizëm.

Lexo edhe:  Capital T tregon një pjesë të jetës së tij: Alkool, femra dhe muzikë të mirë! (Video)

“Kushdo që, në çfarëdo mënyre, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, ofron, kërkon, mbledh ose fsheh, organizon, përgatit, vë në dispozicion fonde apo mjete të tjera materiale ose drejton të tjerët për këto veprime, me dashje se do të përdoren, dijeni apo bazë të arsyeshme për të besuar se do të përdoren, tërësisht ose pjesërisht, për apo nga një individ terrorist, grup terrorist, apo për të kryer apo për të kontribuar për kryerjen e veprës terroriste, dënohet me gjobë deri në pesëqind mijë (500.000) euro dhe me burgim prej pesë (5) deri në pesëmbëdhjetë (15) vjet”, thotë paragrafi i parë e nenit 131 e kodit të ri penal të Kosovës, që parasheh veprën penale “Lehtësimi dhe financimi në kryerjen e terrorizmit”.

E që një vepër të përbëjë vepër penale sipas paragrafit të parë të këtij neni, nuk është e nevojshme që një veprim terrorist të ndodhë ose nëse fondet janë përdorur në të vërtetë për të kryer një veprim të tillë terrorist, thuhet në paragrafin e dytë të të njëjtit nen.

E neni që parasheh parasheh dënimin me burgim deri në 15 vjet të atyre që trajnojnë për terrorizëm, thotë se këtë dënimin mund ta marrin edhe ata që ofrojnë ose pranojnë njohuri ose aftësive praktike, për prodhimin ose përdorimin edhe të substancave bakteriologjike, nukleare apo substancave të tjera të dëmshme apo helmuese për njerëzit, pronën apo mjedisin.

Lexo edhe:  Ahmeti e O’Connell diskutojnë për zhvillimet aktuale në Kosovë

“Kushdo që ofron ose pranon trajnim për terrorizëm, dënohet me burgim prej pesë (5) deri në pesëmbëdhjetë (15) vjet”, thotë neni 133 i kodit të ri penal që pritet të votohet shumë shpejtë në Kuvend të Kosovës.

“Për qëllime të këtij neni, shprehja “trajnim për terrorizëm” nënkupton trajnimin ose udhëzimin, përfshirë ofrimin ose pranimin e njohurive ose aftësive praktike, për prodhimin ose përdorimin e mjeteve shpërthyese, armëve të zjarrit ose armëve tjera apo substancave kimike, bakteriologjike, nukleare apo substancave të tjera të dëmshme apo helmuese për njerëzit, pronën apo mjedisin, ose me metoda apo teknika tjera specifike, me qëllim që të kryejë apo të kontribuojë në kryerjen e veprës terroriste, duke ditur se shkathtësitë e mësuara apo të marra kanë për synim që të përdoren për këtë qëllim”, specifikon paragrafi i dytë i nenit 133 që parasheh veprën penale “Trajnimi për terrorizëm”.

Lexoni edhe: